- 03 - 06 - 2023
Disa të dhëna tregojnë se vaksina Oxford-AstraZeneca mund të sigurojë vetëm "mbrojtje minimale" kundër sëmundjes së shkaktuar nga varianti i koronavirusit i identifikuar në Afrikën e Jugut.
Por kjo nuk do të thotë që qeveritë duhet të hedhin poshtë këtë vaksinë. Ekspertët theksojnë se ka shumë gjasa që vaksina të ketë efekt në parandalimin e sëmundjeve të rënda dhe vdekjeprurëse.
Vaksina Oxford-AstraZeneca është më e lirë dhe më e lehtë për tu transportuar dhe ruajtur sesa disa nga vaksinat e tjera të aprovuara deri më tani dhe si e tillë, do të luante një rol kryesor në luftimin e pandemisë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Nëse vaksina nuk është mjaft efikase kundër variantit të ri, ajo do të thellonte hendekun e vaksinimit mes vendeve më të pasura dhe më të varfra të botës.
Studimi nga Afrika e Jugut sugjeroi se dy doza të vaksinës AstraZeneca mund të sigurojnë mbrojtje "të reduktuar" ndaj variantit të ri të virusit i identifikuar për herë të parë në këtë vend, i njohur si B.1.351.
Studimi nuk është shqyrtuar ose publikuar plotësisht, kështu që shumë të panjohura mbeten ende. Ajo që dimë është se u përfshinë një numër relativisht i vogël vullnetarësh, të cilët ishin kryesisht të rinj dhe të shëndetshëm dhe për këtë arsye nuk kishin gjasa të vuanin nga rastet e rënda të Covid-19. Kjo nënkupton se studimi nuk vlerësoi mbrojtjen ndaj rasteve të rënda, shtrimit në spital dhe humbjes së jetës.