SHBA: Michael Jordan dhuron 10 milionë dollarë për hapjen e klinikave mjekësore në vendlindjen e tij

Legjenda e NBA Michael Jordan ka dhuruar 10 milionë dollarë për hapjen e dy klinikave të reja mjekësore në qytetin e tij të lindjes Wilmington, në Karolinën e Veriut.

Klinikat, që planifikohen të hapen në vitin 2022, do t'u shërbejnë banorëve të pasiguruar të New Hanover County, sipas një njoftimi për shtyp nga Novant Health.

"Kushdo duhet të ketë akses në kujdesin shëndetësor cilësor, pa marrë parasysh se ku jeton, nëse ështe i siguruar ose jo". Michael Jordan deklaroi, "Wilmington mban një vend të veçantë në zemrën time dhe është vërtet kënaqësi të ndihmoj komunitetin, që më ka mbështetur gjatë gjithë jetës sime".

Kjo nuk është hera e parë që Jordan ndihmon komunitetin.

Në vitin 2017, Michael Jordan angazhoi 7 milionë dollarë për Novant Health për hapjen e dy klinikave në Charlotte. Donacioni erdhi me një premtim për të siguruar burime për komunitetet me pak ose aspak kujdes shëndetësor.

Klinika e parë mjekësore familjare Novant Health Michael Jordan u hap në tetor 2019. Vitin e kaluar, ajo shërbeu për testet e Covid-19 duke siguruar më tepër se 13,000 teste.

Tetorin e vitit të kaluar, kampioni i NBA bashkëpunoi përsëri me Novant Health për hapjen e një klinike të dytë mjekësore në Charlotte, Karolina e Veriut.

Etiketim

lajm