Ndryshimi i poleve magnetike të Tokës mund të ketë shkaktuar zhdukjen e Neandertalëve

Ndryshimi  i poleve magnetike të Tokës, së bashku me një dobësim të përkohshëm të fushës magnetike rreth 42,000 vjet më parë, mund të ketë shkaktuar një sërë ndryshimesh mjedisore, stuhi diellore dhe zhdukjen e Neandertalëve, sipas një studimi të ri.

Fusha magnetike e Tokës na mbron duke vepruar si një mburojë kundër rrymave diellore. Por fusha gjeomagnetike nuk është e qëndrueshme në forcë dhe drejtim dhe ka aftësinë të ndryshojë ose të kthehet sërisht mbrapsht.

Rreth 42,000 vjet më parë polet ndryshuan për rreth 800 vjet, para se të ktheheshin sërisht mbrapsht, por shkencëtarët nuk ishin të sigurtë se si ky fenomen kishte ndikuar në Tokë.

Tani, një grup studiuesish nga Universiteti i Sidneit bëri të ditur se ky fenomen, së bashku me ndryshimin e rrymave diellore, mund të kishin shkaktuar një varg ndryshimesh të theksuara të klimës që çuan në ndryshime mjedisore dhe zhdukje masive.

Shkencëtarët analizuan unazat e pemëve të lashta të Zelandës së Re, disa prej të cilave ishin ruajtur në sedimente për më shumë se 40,000 vjet.

Duke përdorur radiokarbon shkenëtarët studiuan prerjet tërthore të pemëve, unazat vjetore të rritjes së të cilave shërbyen si një shenjë natyrore kohore për të gjurmuar ndryshimet në nivelet e radiokarbonit gjatë ndryshimit të poleve.

"Duke përdorur pemët e lashta ishim në gjendje të matnim kulmin e niveleve të radiokarbonit atmosferik të shkaktuar nga dobësimi i fushës magnetike të Tokës", deklaroi Chris Turney.

Studiuesit zbuluan se ndryshimi i poleve çoi në "ndryshim të theksuar të klimës". Modelimi i tyre tregoi që shtresa e akullit dhe rritja e akullnajave në Amerikën e Veriut dhe zhvendosjet e rrymave kryesore të erës dhe stuhitë tropikale mund të gjurmohen që nga periudha e ndryshimit të poleve magnetike.

Etiketim

lajm