Britani e Madhe: Duka i Edinburgut po merr trajtime ndaj një infeksioni në një nga spitalet e Londrës

Princi Philip, bashkëshorti i Mbretëreshës Elizabeth II po trajtohet për një infeksion dhe nuk pritet të largohet nga spitali për disa ditë, bënë të ditur burimet nga Pallati Buckingham.

"Duka i Edinburgut po qëndron në Spitalin e King Edward VII, ku ai po merr kujdesin mjekësor ndaj një infeksioni. Ai është i qetë dhe i përgjigjet trajtimeve, por nuk pritet të largohet nga spitali për disa ditë", theksuan burimet zyrtare.

"Princi Philip u dërgua në spital pasi nuk ishte ndjerë mirë", sipas burimeve zyrtare.

Princi William deklaroi se 99-vjeçari ishte "mirë" dhe stafi i spitalit "po kujdesej për të".

Djali i vogël i Princit Philip, Princi Edward theksoi se kohët e fundit kishte folur me babanë, i cili ishte "shumë më mirë" dhe se po e priste të kthehej në shtëpi.

Princi Edward u shpreh se familja ishte ende duke "shpresuar" për babanë e tij.

"Ne kemi pasur disa mesazhe të shkëlqyera. Dhe e vlerësojmë këtë, po ashtu edhe ai", shtoi Princi Edward.

Princi Philip, i cili pritet të mbushë 100 vjeç në qershor, u tërhoq nga jeta publike në 2017 dhe është dërguar në spital disa herë gjatë viteve të fundit.

Shtrimi i fundit nuk ishte emergjent, sipas një burimeve mbretërore, që theksuan se ai u dërgua në spitalin King Edward VII me automjet dhe arriti të ecë pa ndihmë. Burimet shtuan se sëmundja nuk ishte e lidhur me Covid-19.

Etiketim

lajm