Greqi: Zbulohet një pemë e gurëzuar 20 milionë vjeçare në ishullin e Lesbos

Ekspertët kanë bërë një zbulim "të jashtëzakonshëm" të një peme, që është ende e paprekur pasi është gurëzuar si pasojë e një shpërthimi vullkanik 20 milionë vjet më parë në ishullin e Lesbos, Greqi.

Pylli i gurëzuar i Lesbos u formua 20 milionë vjet më parë, kur një vullkan shpërtheu në veri të ishullit duke mbuluar të gjithë zonën me hir dhe lavë. Zona, që shtrihet në 15,000 hektarë është e njohur për trungjet e saj të gjalla dhe shumëngjyrëshe të fosilizuara.

Nickolas Zouros, një profesor i gjeologjisë në Universitetin e Egjeut ishte duke zhvilluar gërmime mbi ekosistemin e pyjeve të fosilizuar.

"Kemi bërë shumë zbulime gjatë këtyre viteve, por ato të fundit janë më të rëndësishmet", deklaroi ai.

Ekspertët zbuluan pemën 19,6 metra të gjatë e plotë me degë dhe me një sistem rrënjor, gjatë një gërmimi përgjatë autostradës Kalloni-Sigri.

"Nuk ndeshemi shpesh me gërmime të tilla", theksoi Zouros.

"Kemi të gjitha organet e pemës. Është unike. Kemi gërmuar për 25 vjet dhe nuk kemi arritur të zbulojmë një të tillë", shtoi ai.

Haloret, pemët që prodhojnë fruta, pemët sekuia, pisha, palma, kanella dhe lisat janë ndër ekzemplarët e zbuluar në pyllin e gurëzuar.

"Këto pemë tregojnë se klima ka ndryshuar në zonën e Lesbos. Kjo pemë është subtropikale. Kushtet klimatike ishin subtropikale 20 milionë vjet më parë, kur pema u shkatërrua nga shpërthimet vullkanike. Në ditët e sotme duke studiuar këtë florë, pyllin e gurëzuar mund të arrijmë në një përfundim se si ndikon ndryshimi i klimës në ekosistem", u shpreh Zouros.

Etiketim

lajm