Princi Harry krahason ndarjen nga familja mbretërore me përvojën e Dianës

Princi Harry e ka krahasuar si "shumë të vështirë" ndarjen nga familja mbretërore duke iu referuar përvojës së nënës së tij, Princeshës Diana në një intervistë me Oprah Winfrey, ku ishte e pranishme edhe bashkëshortja e tij Meghan, Dukesha e Sussex.

Harry u shpreh se "nuk mund ta imagjinonte si duhet të ishte" për Dianën të kalonte një përvojë të ngjashme.

"Jam thjesht i lehtësuar dhe i lumtur, që ndodhem këtu duke biseduar me ju, me bashkëshorten time në krah. Sepse nuk mund ta imagjinoj se si duhet të ketë qenë për atë të kalonte në këtë proces e vetme në ato vite më parë", deklaroi Harry.

"Ishte shumë e vështirë për ne të dy, por të paktën ne kishim njëri-tjetrin", shtoi ai.

Diana u divorcua nga Princi Charles dhe u largua kryesisht nga familja mbretërore në një ndarje shumë të përfolur gjatë viteve 1990. Ajo humbi jetën në një aksident automobilistik në vitin 1997.

Harry dhe Meghan nuk kanë marrë pjesë në angazhime mediatike, që kur u larguan nga familja mbretërore, një hap që shkaktoi diskutime në Pallatin Buckingham në fillim të vitit 2020.

Javën e kaluar Harry diskutoi për largimin gjatë një interviste në programin televiziv "Late Late Show" të James Corden.

"Të gjithë e dimë se si është shtypi britanik dhe kjo po shkatërronte shëndetin tim mendor. Ishte toksike. Kështu që bëra atë që çdo bashkëshort dhe baba do të bënte", theksoi ai gjatë intervistës me Corden.

Etiketim

lajm