Covid-19: Britania e Madhe në kërkim të një personi të infektuar me variantin e Brazilit

Autoritetet britanike të shëndetësisë janë në kërkim të një personi, i cili është infektuar me një variant të Covid-19 të identifikuar së pari në qytetin Brazilian të Manaus.

“Personi është një nga gjashtë rastet e variantit P.1, që janë zbuluar në Britaninë e Madhe”, bënë të ditur burime të Shëndetit Publik, që shtuan se tre nga rastet ishin në Angli dhe tre të tjera në Skoci.

“Individi i paidentifikuar nuk ka plotësuar një kartë regjistrimi të shoqëruar me testin, kështu që autoritetet nuk janë në gjendje t'i ndjekin”, sipas burimeve zyrtare.

“Dy rastet e tjera të identifikuara në Angli janë nga një familje në rajonin e Gloucestershire me një histori udhëtimi në Brazil. Të dy personat janë vetë-izoluar", theksuan burimet zyrtare.

“Po kontaktohen të gjithë pasagjerët e avionit Swiss Air LX318, nga Sao Paulo, që u ul në Londër më 10 shkurt. Do të testohen të gjithë pasagjerët në banesat e tyre”, shtuan burimet zyrtare.

Avioni u ul disa ditë para se Britania e Madhe të vendoste një sistem karantine 10-ditore.

Varianti P.1 dyshohet se ka nxitur përhapjen virale në Brazil. Është gjetur në 42% të ekzemplarëve në një studim të kryer në Manaus dhe rastet janë shfaqur në SHBA dhe Japoni.

Varianti P.1 ka mutacione të përbashkëta me variantin e identifikuar në Afrikën e Jugut, që nënkupton se është më ngjitës dhe mund të shmangë efektin e vaksinave.

Etiketim

Covid-19