Argjentinë: Zbulohen fosilet e një dinozauri gjigant 140 milionë vjeçare

Shkencëtarët kanë zbuluar fosilet e anëtarit më të vjetër të njohur të grupit të dinozaurave të njohur si titanozaurët, që përfshin kafshët më të mëdha tokësore në historinë e Tokës.

Studiuesit bënë të ditur se fosilet përfaqësojnë një specie dinozauri të quajtur Ninjatitan Zapatai, që ka jetuar 140 milionë vjet më parë, gjatë periudhës së Kretaceut. Ata e identifikuan Ninjatitan një titanozaur, një grup dinozaurësh bargrënës me qafë të gjatë me katër këmbë.

Mbetjet e skeletit të dinozaurit u zbuluan në shkretëtirën e Patagonisë në Argjentinë, në jug të qytetit Neuquen. Studiuesit u shprehën se Ninjatitan demonstroi se titanozaurët u shfaqën shumë më herët sesa mendohej.

"Është specia më e vjetër e njohur, jo vetëm në Argjentinë, por në të gjithë botën", deklaroi autori kryesor i studimit Pablo Gallina, një studiues në Këshillin Kombëtar për Kërkime Shkencore dhe Teknike të Argjentinës.

Me një gjatësi prej rreth 20 metrash, Ninjatitan ishte një dinozaur i madh, por shumë më i vogël se titanozaurët e mëvonshëm, si Argjentinosauri, që mund të arrinte deri në 35 metra.

Një numër i titanozaurëve, që banonin në Patagoni arritën përmasa gjigante si Argjentinosauri Patagotitan.

Etiketim

lajm