SHBA : Të paktën 13 të vdekur nga një aksident automobilistik në Kaliforni

Detajet, që lidhen me aksidentin fatal në Kaliforni mbeten ende të paqarta, por ajo që dihet është se një automjet u godit nga një kamion, që po tërhiqte dy rimorkio dhe të paktën 13 persona kanë humbur jetën nga kjo perplasje.

Autoritetet ende nuk e dinë pse automjeti po transportonte 25 persona, të cilët u nisën herët në mëngjes. Nuk ishte i qartë destinacioni i tyre dhe përse aksidenti ndodhi në një rrugë rurale, 10 milje në veri të kufirit meksikan.

"Do të ishte e parakohshme të spekulonim mbi atë që ndodhi në këtë përplasje. Të paktën 13 persona kanë humbur jetën ", deklaroi Shefi i Divizionit të Kufirit të Patrullës së Autostradës së Kalifornisë Omar Watson.

Burimet zyrtare dhanë shifra të ndryshme për viktimat.

Judy Cruz, drejtori menaxhues i departamentit të dhomës së urgjencës në Qendrën Rajonale Mjekësore El Centro u shpreh se automjeti kishte 28 persona në bord, 15 prej të cilëve kishin humbur jetën.

Por Watson theksoi në një konferencë se kishte 25 persona dhe se 13 kishin humbur jetën duke përfshirë edhe drejtuesin e automjetit, pasagjerët e të cilit varionin nga mosha 15 deri në 53 vjeç.

˝Nuk dihet ende prejardhja e udhëtarëve të automjetit, pasi disa nuk kishin mjete identifikimi˝, theksoi Watson, megjithëse shtoi se drejtuesi ishte nga qyteti meksikan Mexicali.

Konsullata Meksikane bëri të ditur se të paktën 10 nga viktimat ishin shtetas meksikanë.

Etiketim

Aksident Kaliforni