Covid-19: Vaksina ruse Sputnik V zgjeron shtrirjen në Amerikën Latine

Vaksina ruse Sputnik V ka shënuar një rritje të popullaritetit në të gjithë Amerikën Latine, ndërsa më shumë vende kanë shpallur dërgesa dhe marrëveshje për të blerë vaksinën kundër Covid-19.

Nëntë vende të Amerikës Latine deri më tani kanë miratuar përdorimin e vaksinës Sputnik V, ku përfshihen Argjentina, Bolivia, Guatemala, Guajana, Honduras, Meksika, Nikaragua, Paraguai dhe Venezuela. Shpërndarja e vaksinës ka filluar gjithashtu në Argjentinë, Bolivi, Meksikë, Nikaragua, Paraguai dhe Venezuelë.

Vaksina është aprovuar në 39 vende të botës, sipas Fondit Rus të Investimeve Direkte, që merret me tregtimin e vaksinës.

Vaksina Sputnik V ka një çmim më të lirë dhe mund të ruhet në temperatura më të larta se vaksina Pfizer, çka e ka bërë atë tërheqëse për vendet e Amerikës Latine me ekonomi dhe infrastrukturë më pak të zhvilluar.

Argjentina u bë vendi i parë i Amerikës Latine, që shpërndau vaksinën Sputnik V në fund të muajit dhjetor, me blerjen e rreth 25 milionë dozave. Vendi ka shpërndarë tashmë mbi 600,000 doza.

Venezuela dhe Meksika kanë marrë dërgesat përkatësisht prej 100,000 dhe 200,000 dozash, në fillim të muajit shkurt. Nikaragua filloi shpërndarjen e vaksinës më 2 Mars.

Ndërsa Rusia përpiqet të vazhdojë me kërkesat, disa vende kanë marrë vetëm dërgesa shumë të vogla. Bolivia mori 20,000 doza të Sputnik V përgjatë muajit janar. Paraguai njoftoi blerjen e një milion dozave, por deri më tani ka marrë vetëm 4,000 prej tyre.

Ekspertët vazhdimisht kanë shprehur shqetësime rreth transparencës së vaksinës Sputnik V dhe autorizimit të përshpejtuar në Rusi. Sidoqoftë, vaksina ka rezultuar 91.6% efektive kundër Covid-19 në testet e realizuara.