Meghan Markle: Doja të kryeja vetvrasje

Meghan, Dukesha e Sussex u shpreh në një intervistë me Oprah Winfrey se në familjen mbretërore britanike ndiheshe aq e izoluar dhe e vetmuar, që në një moment "nuk donte të ishte më gjallë". Në komentet e saj të para publike, që kur ajo dhe bashkëshorti i saj Princ Harry njoftuan planet e largimit nga rolet e larta të familjes mbretërore britanike Meghan e përshkroi veten si një viktimë e Pallatit Buckingham, ku anëtarët shqetësoheshin sesa e zezë do të ishte ngjyra e lëkurës së djalit Archie dhe sa shpesh shkonte për drekë me miqtë.

Princi Harry me Meghan Markle

Meghan filloi intervistën duke folur me Winfrey në një ambient të hapur me diell, në Kaliforninë Jugore, ku ajo dhe Harry jetojnë tani. Meghan bëri disa deklarata lidhur me jetën private të çiftit mbretëror duke përfshirë se të dy ishin martuar tre ditë para dasmës zyrtare dhe se fëmija i dytë që ata po presin të vijë në jetë është një vajzë. Por pjesa më e fuqishme e intervistës dy orëshe erdhi kur Meghan diskutoi për vështirësitë e jetës në familjen mbretërore. Meghan, një ish-aktore Amerikane theksoi se ishte e detyruar të përmbante natyrën e saj të hapur dhe të hiqte dorë nga liria e saj personale. Ajo deklaroi se nuk mund të përdorte pasaportën, lejen e qarkullimint ose çelësat.

Me lotë në sy, Meghan u shpreh se mendimet për vetëvrasje ishin tepër të vështira për t'u përmbajtur dhe ajo ishte e rezervuar t'i ndante ato me bashkëshortin e saj, i cili humbi nënën e tij, Princeshën Diana, kur ishte djalë.

"Kisha me të vërtetë turp ta them atë në atë kohë dhe më vinte turp që duhet ta rrëfeja veçanërisht Harryt, sepse unë e di se sa humbje ka pësuar. Por e dija se nëse nuk do t´ia thoja, do e bëja dhe thjesht nuk doja të isha më gjallë", theksoi ajo. Harry u shpreh se ishte "tmerruar" nga rrëfimi i bashkëshortes. "Nuk dija se çfarë të bëja, shkova në një vend shumë të errët, por doja të isha atje për të", shtoi Harry. Princi, i cili është i gjashti në radhë për fronin mbretëror deklaroi se vuajtja në heshtje është kulturë në familjen mbretërore.

Oprah Winfrey Show