Covid-19: Kanadaja zgjeron përdorimin e vaksinës AstraZeneca tek të moshuarit

Kanadaja ka zgjeruar shtrirjen e vaksinave Oxford-AstraZeneca kundër koronavirusit duke hedhur poshtë një rekomandim të mëparshëm, që nuk përfshinte të moshuarit, ndërsa më tepër shtete evropiane janë angazhuar për të pezulluar përdorimin e saj. Duke cituar provat e fundit nga Britania e Madhe, një panel ekspertësh kanadezë azhurnoi rekomandimet për vaksinën duke përfshirë tani personat mbi moshën 65 vjeç.

Rekomandimi nga Komiteti Kombëtar Këshillimor për Imunizimin mund të përdoret nga liderët kanadezë për të vendosur mbi shpërndarjen e vaksinës. Rregullatori i shëndetit të vendit kishte autorizuar vaksinën AstraZeneca për përdorim të gjerë në fund të muajit shkurt, megjithëse deri më tani Komiteti nuk e rekomandonte atë për personat mbi 65 vjeç për shkak të pamjaftueshmërisë së provave për këtë grup moshë.

Astra

Ndryshe nga Kanadaja, përhapja e vaksinës AstraZeneca ka shkaktuar një ngërç ditët e fundit në pothuajse të gjithë Evropën perëndimore. Franca, Spanja, Irlanda, Gjermania, Italia dhe më tepër se një duzinë vendesh të tjera kanë ndaluar shtrirjen e dozave të vaksinave duke e quajtur atë një masë paraprake pas shqetësimeve, që mund të lidhen me mpiksjen e gjakut.

Këto vendime janë në kundërshtim me këshillat e agjencive globale të shëndetit dhe rregullatorit të ilaçeve në Evropë dhe ato kanë nxitur debate të panumërta mes personave, të cilët janë vaksinuar ose presin te vaksinohen. Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi të mërkurën se përfitimet e vaksinës AstraZeneca tejkalojnë rreziqet dhe vaksinimet duhet të vazhdojnë. "Vaksinimi kundër COVID-19 nuk do të zvogëlojë sëmundjen ose vdekjet nga shkaqe të tjera", njoftoi OBSH.  Ndërsa zyrtarët kanadezë të shëndetit publik theksojnë se janë duke vëzhguar nga afër situatën në Evropë dhe po presin më tepër informacione nga rregullatorët.

Astra