Covid-19: Hungaria regjistron ditën më tragjike të pandemisë

Hungaria ka regjistruar ditën më tragjike të pandemisë deri më tani duke u përpjekur të përmbajë valën më të fundit të rasteve të reja të koronavirusit. Qeveria njoftoi se 302 persona kanë humbur jetën në një ditë të vetme duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve të vendit në 20,737 viktima. Qeveria theksoi në një deklaratë se shumica e atyre, të cilët humbën jetën ishin të moshuar ose të sëmurë kronikë.

Covid

Vendi është shumë përpara shumicës së shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, përsa i përket normave të vaksinimit. Sipas të dhënave nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, 23.7% e të rriturve në Hungari kanë marrë dozën e parë të vaksinës, ndërsa 8.6% janë vaksinuar plotësisht me dy doza.

Një arsye për shpërndarjen e shpejtë është vendimi i qeverisë për të autorizuar dy vaksina kundër koronavirusit nga Rusia dhe Kina edhe pse ato nuk janë miratuar ende nga Agjencia Evropiane e Barnave. Hungaria u bë vendi i parë i BE-së, që miratoi vaksinën Sputnik V të Rusisë në janar, e pasuar nga vaksina Sinopharm e Kinës në shkurt. Ndërsa pjesa tjetër e BE-së ishte në krizë me çështjet e furnizimit pasi mbështetej tek vaksinat BioNTech/Pfizer dhe AstraZeneca, Hungaria ka përdorur vaksinat AstraZeneca si dhe ato ruse dhe kineze, që nga java e fundi i muajit shkurt.

Vaksina

Në fillim të këtij muaji janë aprovuar dy vaksina të tjera kundër Covid-19, Cansino Biologics nga Kina dhe CoviShield, versioni i vaksinës AstraZeneca i bërë nga Instituti Serum i Indisë. Janë porositur gjithashtu vaksinat Pfizer-BioNTech dhe Moderna përmes BE-së duke e çuar numrin total të vaksinave në dispozicion në shtatë.