Kukës: Basha premton heqjen e taksave në Rrugën e Kombit

Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha u premtoi banorëve të Kukësit se qeveria e tij do të heqë taksën në Rrugën e Kombit brenda tre javësh, pasi do të vijë në pushtet. Gjatë një takimi elektoral në veri, Basha është përshëndetur nga dhjetra demokratë dhe lideri i opozitës ka mbajtur një fjalim në Kalimash. Ai u premtoi qytetarëve se do ta shohin traun në Rrugën e Kombit edhe tre javë të tjera, sepse më 25 Prill, nëse PD fiton, atëherë trau do të hiqet.

"Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj. Shikoni edhe tre javë të tjera atë tra. Më 25 prill, Shqipëria voton ndryshimin. Kukësi voton ndryshimin. Dhe ndryshimi i parë për çdo shqiptar nga Konispoli në Podujevë do të jetë heqja e traut. Nuk ka kaluar shumë kohë nga ai moment, që na i mbushi zemrat me një besim si qytetarë të një kombi, që ndërtoi tunelin më të gjatë në Ballkan, që lidhi Shqipërinë me Kosovën", deklaroi Basha.

Basha

"Për vite me radhë, ai që për dy javë e gjysmë do të largohet me votën më masive të shqiptarëve, që duan ndryshim, nuk bëri asgjë, por përkundrazi i futi shkopinj nën rrota Kosovës, shkatërroi ekonominë tonë, uli në nivelin më të ulët marrëdhëniet ekonomiko-politike mes dy vendeve tona", theksoi ai.

"Ne ndërtuam rrugën, ai vuri traun. Vota më 25 Prill për ne është një votë për heqjen e traut. Që djemtë dhe vajzat e Kukësit të punojnë dhe të jetojnë me dinjitet dhe qyteti të bëhet një qendër universitare dhe krenarie kombëtare për Shqipërinë dhe Kosovën. Faleminderit", shtoi Basha.