Covid-19: Çështja AstraZeneca problem për vaksinimin global

Më e lirë dhe më e lehtë për t´u konservuar se vaksinat e tjera kundër Covid-19, vaksina AstraZeneca u vlerësua fillimisht si një rrugëdalje për botën nga pandemia. Por Agjencia Evropiane e Barnave konfirmoi se ekziston një lidhje e mundshme mes vaksinës dhe mpiksjeve të rralla të gjakut. Rreziku duket i vogël, por potencialisht më i lartë për grupmoshat më të reja. Lajmet për këtë efekt të mundshëm anësor i kanë dhënë një goditje shpresave të vaksinimit global.

Për vendet më të pasura me mundësi për të zgjedhur vaksina të tjera, ky lajm nuk ka shkaktuar probleme. Dr. Anthony Fauci, këshilltari kryesor mjekësor i Presidentit Joe Biden u shpreh se SHBA-ja nuk ka nevojë për dozat AstraZeneca. "Ne kemi tre vaksina të shkëlqyera. Edhe nëse kjo vaksinë rezulton një vaksinë shumë e mirë, nuk na duhet përsëri një vaksinë tjetër shumë e mirë. Kemi mjaft vaksina të mira", deklaroi ai.

AstraZeneca

Por për kombet në zhvillim, veçanërisht ato me popullsi më të re, pasojat mund të jenë shumë më të rënda. AstraZeneca ka premtuar të furnizojë me vaksina pa përfitim gjatë pandemisë dhe ka bashkëpunuar me Institutin Serum të Indisë, që kanë rënë dakord për të prodhuar më tepër se 1 miliardë doza për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. AstraZeneca ka siguruar mbi 30 milionë doza në më shumë se 58 vende përmes COVAX, një skemë e ndarjes së vaksinave. Shumë prej këtyre kombeve janë shumë të varur nga AstraZeneca dhe nuk mund të përballojnë vaksina më të kushtueshme kundër Covid-19.

AstraZeneca

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) theksoi se ishte "e besueshme" se kishte një lidhje mes vaksinës dhe rasteve të rralla të mpiksjes së gjakut, por shtoi se ndërsa "ngjarjet ishin shqetësuese, ato janë shumë të rralla dhe ndodhin me një numër të ulët të raportuar mes pothuajse 200 milionë individëve" që kanë marrë vaksinën në të gjithë botën.