Covid-19: Më shumë të rinj në spital si pasojë e variantit të ri dominues

Varianti i ri misterioz i zbuluar për herë të parë në Britaninë e Madhe është tani lloji më dominues i koronavirusit në SHBA. Ndryshe nga lloji origjinal i koronavirusit, lloji i ri më ngjitës B.1.1.7 po godet veçanërisht të rinjtë. "Rastet (Covid-19) dhe vizitat në dhomat e urgjencës janë në rritje", deklaroi Dr. Rochelle Walensky, drejtoresha e Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. "Po shohim rritje tek të rinjtë, shumica e të cilëve nuk janë vaksinuar ende", shtoi ajo.

Tani mjekët theksojnë se shumë të rinj vuajnë nga ndërlikimet Covid-19 që nuk i prisnin. Kështu që është koha të heqim besimin se vetëm të rriturit e moshuar ose njerëzit me kushte para-ekzistuese janë në rrezik të rëndë. Viruset pësojnë mutacione gjatë gjithë kohës dhe shumica e mutacioneve nuk janë shumë të rëndësishme. Nëse mutacionet janë të rëndësishme, ato mund të çojnë në variante të reja të rrezikshme të një virusi. "Varianti B.1.1.7 ka mutacione, që e lejojnë atë të lidhet më shumë me qelizat", u shpreh Dr. Jonathan Reiner një analist mjekësor dhe profesor i mjekësisë dhe kirurgjisë në Universitetin George Washington. Koronavirusi lidhet me qelizat me anë të proteinave të tij spike, që rrethojnë sipërfaqen e virusit.