Egjipti sekuestron anijen që bllokoi Kanalin e Suezit

Autoritetet egjiptiane kanë sekuestruar anijen masive të mallrave, që bllokoi Kanalin e Suezit për rreth një javë gjatë muajit të kaluar. Një gjykatë egjiptiane urdhëroi pronarin japonez të anijes, Shoei Kisen Kaisha të paguante 900 milionë dollarë kompensim si rezultat i dëmeve të shkaktuara. Ever Given kishte bllokuar trafikun detar në rrugën kryesore të tregtisë globale.

Ever Given

“Fatura e majme përfshin gjithashtu tarifat e mirëmbajtjes dhe kostot e operacionit të shpëtimit”, njoftuan burime zyrtare. Një operacion ndërkombëtar shpëtimi punoi gjatë gjithë kohës për të zhvendosur anijen nga brigjet e kanalit nën vëmendjen urgjente dhe globale me kalimin e çdo dite, pasi anijet nga e gjithë bota, që transportonin karburant jetik dhe ngarkesë u bllokuan të hynin në kanal.

Ever Given

Ever Given arriti të lundronte përsëri me sukses më 29 Mars dhe u zhvendos në Liqenin e Madh të Hidhur, që ndodhet aty pranë për t'u kontrolluar dhe për të kryer riparime. Ngarkesa e anijes është konfiskuar derisa mosmarrëveshja të zgjidhet, sipas Autoritetit të Kanalit të Suezit. Më tepër se 400 anije u bllokuan të kalonin nëpër korsinë thelbësore të transportit, kur Ever Given u përplas më 23 Mars. Rrethanat që çuan në këtë situatë ende po hetohen nga autoritetet egjiptiane.