Danimarka heq AstraZeneca nga programi i vaksinimit

Danimarka ka hequr vaksinën AstraZeneca kundër Covid-19 nga programi i vaksinimit duke theksuar se nuk është e nevojshme, pasi vendi ka arritur tashmë "një pikë kaq të përparuar" në shpërndarjen e vaksinave. "Të gjitha vaksinat e rezervuara AstraZeneca do të anulohen, por vendimi nuk u bazua në shqetësime sigurie", njoftoi Autoriteti Shëndetësor Danez.

"Ne në thelb jemi në marrëveshje me vlerësimin e Agjencisë Evropiane të Mjekësisë lidhur me vaksinën AstraZeneca. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të theksohet se ajo është akoma një vaksinë e aprovuar në Evropë", deklaroi Søren Brostrøm drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Shëndetësor Danez. "Dhe ne e kuptojmë nëse vendet e tjera në një situatë të ndryshme nga ne zgjedhin të vazhdojnë të përdorin vaksinën", theksoi ai.

Astra

Autoriteti Shëndetësor Danez ndaloi përdorimin e AstraZeneca më 11 mars dhe vendi ka vazhduar me vaksinat Pfizer/BioNTech dhe Moderna. "Nëse Danimarka do të ishte në një situatë krejtësisht të ndryshme dhe në mes të një shpërthimi të tretë të ashpër, për shembull dhe një sistemi të kujdesit shëndetësor nën presion dhe nëse nuk do të kishim arritur një pikë kaq të përparuar në përhapjen e vaksinave, atëherë ne nuk do të hezitonim të përdornim vaksinën edhe nëse kishte ndërlikime të rralla, por të rënda, që lidheshin me përdorimin e saj", u shpreh Brostrøm.

Astra

"Është vendimi ynë të vazhdojmë shpërndarjen e vaksinave në Danimarkë pa AstraZeneca", deklaroi Brostrøm, i cili shtoi se çështja e një gruaje daneze 60-vjeçare e cila humbi jetën pasi u vaksinua me AstraZeneca ishte "shumë tragjike". Gjatë këtij muaji, Agjencia Evropiane e Mjekësisë arriti në përfundimin se përfitimet e përdorimit të vaksinës AstraZeneca kundër Covid-19 vazhdojnë të tejkalojnë rreziqet. Autoriteti Shëndetësor Danez bëri të ditur se pajtohet me gjetjet e përgjithshme të agjencisë dhe se përfitimet e mundshme të AstraZeneca në luftimin e pandemisë Covid-19 vazhdojnë të tejkalojnë rrezikun e ngjarjeve të rënda anësore.

Astra