Superliga Evropiane: Cili është formati dhe si do të funksionojë?

Tifozët e futbollit, politikanët dhe organet drejtuese kanë shprehur shqetësime, pasi 12 nga ekipet më të mëdha njoftuan planet për shkëputje nga gara evropiane e futbollit për të formuar "Superligën" e tyre, një lëvizje, që përbën një kërcënim për sportin e preferuar në botë. Ditën e Dielë, 12 nga klubet më të mëdha dhe më të pasura të futbollit në botë njoftuan synimin e tyre për të krijuar një Superligë Evropiane.

Kjo Ligë do të përfshijë 20 klube, me 15 ekipe themeluese, që do të jenë anëtarë të përhershëm. Pesë klube do të kualifikohen çdo vit bazuar në arritjet e tyre gjatë sezonit të kaluar. Klubet e përfshira janë "Gjashtë Big" të Premier League: Arsenal, Chelsea, Manchester City, Manchester United, Liverpool dhe Tottenham Hotspur. Gjigandët spanjollë Real Madrid, Barcelona dhe Atlético Madrid do të shfaqen gjithashtu, së bashku me skuadrat italiane AC Milan dhe Inter Milan si dhe Juventus.

Superliga

Fituesi i Ligës së Kampionëve të vitit 2020, Bayern Munich nuk është pjesë e këtij projekti, ndërsa kryetari i Borussia Dortmund Hans-Joachim Watzke konfirmoi se klubi ishte kundër formimit të Superligës. Si Bayern ashtu edhe Dortmund janë të përfaqësuar në bordin e Shoqatës së Klubeve Evropiane dhe sipas Watzke, të dy skuadrat e Bundesligës mbështesin një format të ri të Ligës së Kampionëve, që ishte planifikuar të miratohej nga UEFA. Paris Saint-Germain gjithashtu nuk është përfshirë në këtë projekt.