Covid-19: Rregullatori Evropian i Barnave zbulon lidhje të mundshme mes vaksinës Johnson&Johnson dhe mpiksjes së gjakut

Rregullatori Evropian i Barnave njoftoi se ka zbuluar një lidhje të mundshme mes vaksinës kundër Covid-19 Johnson&Johnson dhe mpiksjeve të rralla të gjakut, por theksoi se përfitimet e përgjithshme të marrjes së vaksinës i tejkalojnë rreziqet. Lajmi hodhi një ndërlikim tjetër në përhapjen e vaksinimit në Bashkimin Evropian dhe i dha një goditje të madhe kompanisë një javë pasi vaksina e saj u ndalua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Covid

Agjencia Evropiane e Barnave arriti në përfundimin se "paralajmërimi për mpiksjen e pazakontë të gjakut me trombocite të ulëta të gjakut duhet të shtohet në informacionin e produktit". Agjencia bëri të ditur se kishte analizuar të gjitha provat e disponueshme aktualisht duke përfshirë tetë raporte të mpiksjeve serioze dhe të pazakonta të gjakut nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë vaksinuar më tepër se 7 milionë persona me Johnson&Johnson Janssen. Një nga ato raste ishte fatale.

Covid

"Të gjitha rastet ndodhën tek persona nën 60 vjeç brenda tre javësh pas vaksinimit, shumica ishin gra", theksoi agjencia. "Bazuar në provat e disponueshme aktualisht, faktorët specifik të rrezikut nuk janë konfirmuar ende", njoftoi ajo. Agjencia shtoi se "kombinimi i mpiksjes së gjakut dhe trombociteve të ulëta të gjakut është shumë i rrallë dhe përfitimet e përgjithshme të vaksinës Janssen në parandalimin e COVID-19 i tejkalojnë rreziqet e efekteve anësore".

Covid

Megjithatë zbulimet e agjencisë janë një pengesë për gjigantin farmaceutik dhe vijnë ndërsa presin rezultatet e hetimeve të ngjashme nga rregullatorët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vaksina u ndalua në SHBA më 13 Prill dhe Johnson&Johnson vendosën të "vonojnë në mënyrë aktive" përhapjen e vaksinave në Evropë në të njëjtën ditë.