Indonezi: Flota detare ngushton zonën e kërkimit për nëndetësen e zhdukur pas zbulimit të një objekti

Ekipet indoneziane të shpëtimit besojnë se kanë identifikuar një zonë, ku mund të ndodhet nëndetësja e zhdukur me 53 persona në bord, pasi autoritetet paralajmërojnë se oksigjeni do të mbarojë brenda disa orësh. "Zona e interesit është rreth 40 kilometra, në veri të Balit, ku nafta është pikasur në sipërfaqen e ujit pranë pikës së zhytjes dhe ku u zbulua një objekt, që ka të ngjarë të vinte nga nëndetësja", u shpreh Gjenerali Achmad Riad, shefi i njësisë qendrore të informacionit të ushtrisë.

Nendetese

"Një anije detare zbuloi një objekt me rezonancë të fortë magnetike në një thellësi deri në 100 metra", deklaroi Riad në një konferencë shtypi dhe marina pret që anija e saj luftarake "Riguel", të arrijë zonën e kërkimit ditën e premte. "Riguel" është e pajisur me një sondë të teknologjisë së lartë, që përdor valët e zërit për të lokalizuar objektet dhe marina shpreson se do të jetë në gjendje të gjejë "KRI Nanggala-402", nëndetësen e prodhuar nga Gjermania, që humbi kontaktin gjatë një stërvitje ushtarake në Ngushticën e Balit ditën e mërkurë.

Nendetese

Anije shtesë me aftësi të teknologjisë së lartë gjithashtu u bashkuan përpjekjeve të kërkimit duke krijuar një ekip prej 21 anijesh luftarake indoneziane, një nëndetëse dhe anije shtesë nga policia dhe departamenti i shpëtimit të Indonezisë. Dy anije luftarake australiane janë bashkuar gjithashtu me përpjekjet e kërkimit. "Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dërgojnë avionë për të ndihmuar në kërkimin e nëndetëses indoneziane të zhdukur", shkroi të enjten sekretari i shtypit i Pentagonit John Kirby. "Tre avionë C-17 pritet të nisen nga baza e forcave ajrore Dover të premten me mjete ujore dhe mjete nënujore kërkimi dhe shpëtimi", bënë të ditur burime zyrtare. Pajisjet do të ndihmojnë në përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit dhe nëse është e nevojshme do të ndihmojnë në një mision rikuperimi.

Nendetese