Ambasador i Italisë uron Kryeministrin Rama për Fitoren e Zgjedhjeve

Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci i është bashkuar të mërkurën urimeve për Kryeministrin Edi Rama, pas fitores së Partisë Socialiste (PS) në zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit. Bucci uroi Ramën dhe PS-në për rezultatin si dhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe liderët e partive të opozitës për fushatën zgjedhore. Gjithashtu ambasadori italian, ndërsa ndau një deklaratë të Ministrisë Italiane të Punëve të Jashtme, bëri të ditur se tani është koha, që të gjitha palët të punojnë në interes të shqiptarëve.

“Urimet e mia Kryeministrit Edi Rama dhe PS-së për rezultatin e zgjedhjeve. Komplimente Lulzim Bashës dhe drejtuesve të partive të tjera të opozitës, të cilët i dhanë jetë një fushate intensive zgjedhore”, u shpreh Bucci. “Për të gjitha forcat politike, tani është koha të punojnë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë duke respektuar rezultatin e zgjedhjeve. Një opozitë e pjekur dhe e përgjegjshme është thelbësore në çdo demokraci”, deklaroi ai. “Mbështetje maksimale për Shqipërinë dhe institucionet e saj për një sezon të ri, ku mes përparësive do të jetë fillimi i negociatave të pranimit në BE", theksoi Bucci.

Bucci

Zgjedhjet e 25 Prillit kontribuojnë pozitivisht në konsolidimin e proceseve demokratike në Shqipëri dhe përfaqësojnë një hap të rëndësishëm përpara në rrugën drejt Evropës. Pas përballjes elektorale, tani është thelbësore, që të gjithë aktorët politikë të angazhohen të punojnë për të mirën e vendit duke kontribuar në konsolidimin e institucioneve demokratike që gjejnë pikën e tyre qendrore të referimit në një Parlament plotësisht legjitim dhe funksional”, shtoi ai.