"Defender Europe 21": Takim i ministrit të Mbrojtjes me gjeneralin Cavoli

Qindra automjete të rënda ushtarake kanë mbërritur në Shqipëri për të marrë pjesë në stërvitjen e madhe ushtarake "Defender Europe 21". Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka zhvilluar një takim me komandantin e ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjeneralin Christopher Cavoli në kuadër të kësaj stërvitje ushtarake. Pasi i uroi mirëseardhjen gjeneralit Cavoli në Shqipëri, Ministri Peleshi i paraqiti masat e marra nga vendi ynë për ecurinë e kësaj stërvitjete të rëndësishme.

Automjete

Ministri Peleshi shprehu besimin se kjo stërvitje ushtarake do të shërbejë si gur themeli për avancimin dhe intensifikimin e stërvitjeve bilaterale Shqipëri-SHBA. Gjithashtu, Peleshi konfirmoi gatishmërinë e palës shqiptare jo vetëm për të rritur praninë në stërvitjet e tjera jashtë vendit, por edhe për të mirëpritur seritë e Defender ’23 dhe ’25 në të ardhmen, gjithashtu në Shqipëri.

Ministri Peleshi falënderoi gjeneralin Cavoli për mbështetjen e pakursyer, që SHBA kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në mënyrë që të rritet niveli i tyre i gatishmërisë, funksionimit dhe ndërveprimit për të qenë në lartësinë e sfidave të sigurisë dhe mbrojtjes së kohës në të cilën jetojmë. Nga ana e tij, gjenerali Cavoli falënderoi dhe vlerësoi shumë masat e marra nga vendi ynë si vend pritës për zhvillimin dhe arritjen e objektivave të stërvitjes Defender Europe ’21.

Peleshi

Ai nënvizoi rëndësinë e stërvitjeve dhe trajnimeve të përbashkëta, të cilat rrisin nivelin e ndërveprimit mes aleatëve. Defender 21 konsiderohet si një mundësi e shkëlqyer për ushtrinë shqiptare dhe atë amerikane për t’u stërvitur së bashku në mënyrë që ata të jenë në gjendje të përballen së bashku me sfidat në të ardhmen. Për më tepër, gjenerali Cavoli siguroi Ministrin Peleshi se Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë do të vazhdojë të planifikojë dhe zhvillojë stërvitje të përbashkëta me Forcat e Armatosura, si dhe do të mbështesë vazhdimisht procesin e modernizimit të tyre.