Guvernatori Sejko: Papunësia në Shqipëri është rritur me mbi 11%

Shkalla e papunësisë në Shqipëri është rritur me 11.8% gjatë vitit të kaluar, njoftoi të mërkurën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ndërsa shtoi se inflacioni ka qenë më i ulët sesa pritej në vend. Në një njoftim për media, Guvernatori Sejko theksoi se pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit janë të dukshme, por që parashikimet për të ardhmen mbeten pozitive.

Sejko

“Për më tepër, kursi i këmbimit duket se është i qëndrueshëm, norma bazë e interesit mbetet në 0,5%”, deklaroi Sejko duke shtuar se institucioni, që ai përfaqëson parashikon për këtë vit një rritje më të madhe nga çka parashikoi fillimisht. “Inflacioni ka shënuar një rënie të shpejtë dhe të papritur në Janar, për shkak të uljes së çmimeve të ushqimeve. Rikuperimi i këtyre çmimeve në periudhën vijuese çoi në një rritje të inflacionit në shkurt dhe mars, por norma mesatare e këtij treguesi për tremujorin e parë ishte e ulët, me 0,9%. Nga ana tjetër, inflacioni bazë ishte i qëndrueshëm, rreth 1.5% duke sugjeruar se luhatjet e çmimeve të ushqimeve do të kenë vetëm efekte kalimtare mbi inflacionin”, theksoi Sejko.

“Sipas të dhënave të INSTAT, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 3% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, pas tre tremujorëve rresht të rënies. Rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit, investimet dhe eksportet dhe u reflektua në përmirësimin e aktiviteteve prodhuese dhe të shërbimeve. Të dhënat e disponueshme për tremujorin e parë të vitit aktual janë vetëm indirekte, por ato sinjalizojnë vazhdimin e rimëkëmbjes ekonomike siç ilustrohet nga përmirësimi i besimit të agjentëve ekonomikë, llogarive fiskale dhe flukseve tregtare”, u shpreh ai.

Sejko

“Megjithatë, megjithëse në rritje, kërkesa agregate mbetet ende nën nivelet e regjistruara në periudhën para-pandemike dhe e pamjaftueshme për të përdorur të plotë faktorët e prodhimit. Si rezultat, aktiviteti ekonomik në vend u tkurr me 3,3% gjatë vitit 2020, ekonomia shqiptare humbi rreth 43,000 vende pune, ndërsa shkalla e papunësisë u rrit në 11,8%. Gjithashtu shkalla e rritjes së pagave dhe kostove të tjera të prodhimit erdhi në ngadalësim”, shtoi Sejko.