Itali: Zbulohen kockat e 9 Neandertalëve në një shpellë

Zbulimi i mbetjeve antike të nëntë Neandertalëve, një tufë hienash dhe disa elefantësh në Shpellën Guattari, pranë qytetit turistik italian San Felice Circeo ka mahnitur arkeologët, të cilët kanë besuar prej kohësh se një popullsi e konsiderueshme jetonte në këtë zonë. "Është një zbulim i jashtëzakonshëm", deklaroi Dario Franceschini, Ministri italian i Kulturës në një deklaratë. "Një nga Neandertalët daton deri në 100,000 vjet më parë", sipas një deklarate nga Ministria italiane e Kulturës, ndërsa tetë të tjerët datojnë deri në 60,000 vjet më parë. Të gjithë ishin meshkuj dhe besohet se njëri prej tyre ishte më i ri se të tjerët.

Itali

Arkeologët filluan kërkimet në shpellë, që u zbulua rastësisht në vitet 1930, për të arritur një zonë që ishte bllokuar nga një tërmet i lashtë dhe rrëshqitje më të fundit të tokës. Shpella është vendi, ku janë gjetur dy kafka të tjera duke përfshirë atë që konsiderohet të jetë një kafkë e ruajtur mirë e Neandertalit e zbuluar në vitin 1939. "Së bashku me dy kafkat e tjera të zbuluara në të kaluarën, numri i përgjithshëm i individëve në Shpellën Guattari shkon në 11 duke e konfirmuar atë si një nga vendet më të rëndësishme në botë për historinë e njeriut Neandertal", theksoi Ministria italiane e Kulturës.

"Zbulimet e vrimave të ventilimit në tavanin e shpellës kishin bërë që disa antropologë të besonin se Neandertalët gjithashtu merreshin me kanibalizëm ritual", sipas Ministrisë, që shtoi se disa nga kockat e zbuluara ishin djegur. Qindra kocka të tjera që u atribuohen elefantëve, rinocerontëve, drerëve gjigantë, kuajve dhe një kafshe tashmë e zhdukur u zbuluan gjithashtu në shpellë. "Shumë nga kockat treguan shenja të qarta të brejtjes, me gjasë nga hienat", sipas deklaratës.

Etiketim

Zbulim Itali shpellë