SHBA: Personat e vaksinuar kundër Covid-19 mund të mos kenë nevojë për maska

Personat, të cilët janë vaksinuar plotësisht kundër Covid-19 nuk kanë nevojë të mbajnë maskë ​​ose të praktikojnë distancat sociale brenda ose jashtë, përveç se në disa rrethana të caktuara, njoftoi të enjten drejtoresha e Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. "Nëse jeni plotësisht të vaksinuar, mund të filloni të bëni gjërat, që keni ndaluar së bëri për shkak të pandemisë", deklaroi Dr. Rochelle Walensky gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë. "Ne të gjithë e kemi pritur këtë moment, kur mund t'i kthehemi normalitetit", theksoi ajo. Duke e quajtur një "moment emocionues dhe të fuqishëm",

Walensky u shpreh se shkenca e mbështet këtë udhëzim dhe se "kushdo, që është plotësisht i vaksinuar mund të marrë pjesë në aktivitete të brendshme dhe të jashtme, të mëdha apo të vogla pa vendosur maskën ose të praktikojë distancimin fizik". Ajo përmendi tre studime, një nga Izraeli dhe dy nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që tregojnë se vaksinat funksionojnë. Studimi izraelit, që u publikua në Journal of the American Medical Association, tregoi se vaksina ishte 97% efektive kundër Covid-19 në mbi 5,000 punonjës të kujdesit shëndetësor. Ka pasur edhe raporte të infeksioneve mes personave të vaksinuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një numër i vogël mes më tepër se 117 milionë persona në SHBA, të cilët tani janë plotësisht të vaksinuar.

Walenski

Walensky vuri në dukje se "infeksioni, që rezulton ka më tepër gjasa të ketë një ngarkesë më të ulët virale, mund të jetë më i shkurtër në kohëzgjatje dhe më pak i transmetueshëm tek të tjerët". Por Walensky kishte edhe disa paralajmërime. Ajo paralajmëroi se personat, të cilët kanë imunitet të ulët duhet të konsultohen me mjekët e tyre para se të heqin dorë nga maskat. “Kërkesa për të mbajtur maska ​​gjatë udhëtimeve, në autobusë, trena, avionë dhe transport publik qëndron ende”, deklaroi Walensky.

Udhëzimet për udhëtime do të azhurnohen ndërsa shfaqen prova shkencore. Ajo gjithashtu theksoi se "viti i kaluar na ka treguar se ky virus mund të jetë i paparashikueshëm, kështu që nëse gjërat përkeqësohen, ka gjithmonë një mundësi që mund të na duhet të bëjmë ndryshime në këto rekomandime". “Personat, të cilët zhvillojnë simptoma të Covid-19, madje edhe ata, të cilët janë të vaksinuar duhet të vendosin përsëri maskën dhe të testohen”, shtoi Walensky/

Etiketim

Covid-19 SHBA maska