Presidenti Ilir Meta shpreh ngushëllimet për Vdekjen e aktorit Pirro Mani

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur ditën e enjte ngushëllimet për vdekjen në moshën 89-vjeçare të regjisorit dhe aktorit të njohur shqiptar, Pirro Mani. Në deklaratën e tij, Kreu i Shtetit theksoi se Mani ishte një nga personalitetet më të shquara në historinë e teatrit dhe filmit shqiptar. Aktori tashmë i ndjerë Pirro Mani do të jetë një shembull frymëzimi për artistët e rinj, sepse ka lënë pas një trashëgimi të vlefshme kulturore, sipas Presidentit Meta.

Pirro

“I trishtë është lajmi për vdekjen e Pirro Manit, një nga personalitetet më të shquara në historinë e teatrit dhe filmit shqiptar”, deklaroi Meta. “Një aktor dhe regjisor i niveleve të jashtëzakonshme si dhe një pedagog i shkëlqyeshëm për dekada. Ai luajti dhe vuri në skenë dhjetëra role dhe shfaqje duke u vlerësuar me shumë çmime dhe duke fituar duartrokitjet dhe respektin e merituar të artdashësve duke lënë pas një trashëgimi të vlefshme kulturore, çka na bën të gjithëve krenarë dhe që do të mbetet gjithmonë një shembull frymëzimi për brezat e artistëve të rinj", theksoi presidenti i Shqipërisë.

Pirro Pavlina

Aktori Pirro Mani u nda nga jeta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte prej disa kohësh bashkë me familjen e tij. Ai ishte bashkëshorti i aktores, Pavlina Mani. Ishte regjisor dhe pedagog i shkëlqyer dhe për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar. Mani lindi në Korçë më 14 Prill të vitit 1932.