- 03 - 06 - 2023
Një zjarr ka rënë ditën e Premte në pyllin Drenia, në fshatin Lofkënd në Fier. Duket se zjarrfikësit nuk janë në gjendje ta vënë nën kontroll, edhe për shkak të terrenit të vështirë. Kjo e fundit e bën pothuajse të pamundur, që zjarrfikëset të afrohen në vatrat dhe të shuajnë flakët.
Përhapja e madhe e zjarrit rrezikon të vërë flakën edhe në zonën e Patosit. Punonjësit e departamentit të zjarrfikësve në Ballsh janë bashkuar me kolegët e tyre të Fierit në përpjekje për të ndaluar përhapjen e zjarrit më tepër. Tani kemi 12 zjarrfikës nga Mallakastra dhe 12 të tjerë nga Patosi në vendin e ngjarjes, por zjarri duket i pathyeshëm.
Stina e nxehtë e verës, që po afron mbart gjithnjë me vete edhe rrezikun e zjarreve masive, që ndodhin kryesisht në rajonin jugor të Shqipërisë. Zjarret masive në këto rajone janë edhe burim i jashtëzakonshëm ndotjeje ambjentale duke e shndërruar në faktor pengues për zhvillim. Zjarret në këto zona shkaktojnë dëme të jashtëzakonshme gjatë sezonit të verës.