BE uron Shqipërinë për anëtarësimin e përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca ka uruar të Premten Shqipërinë për zgjedhjen e saj si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023. Në një reagim ndaj rrjeteve sociale, Ambasadori Soreca theksoi se ai pret që të punojë edhe më ngushtë së bashku në adresimin e çështjeve globale.

Soreca

“Ditë historike për Shqipërinë dhe popullin e saj. Urime për zgjedhjen si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023! Presim të punojmë edhe më ngushtë së bashku në adresimin e çështjeve globale ”, shkroi ambasadori i BE-së në Shqipëri në mediat sociale.

Shqipëria u zgjodh të Premten për të shërbyer në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për një mandat dy-vjeçar duke filluar nga viti i ardhshëm në një votim, në të cilin të gjithë kandidatët garuan pa kundërshtim. Anëtarësimi i Shqipërisë në Këshill u miratua nga 175 shtete anëtare të OKB-së dhe u kundërshtua nga 15 shtete nga 190 vende, që morën pjesë në procesin e votimit. “Ndërkohë, zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit për herë të parë pas 65 vjet anëtarësimi në OKB, përfaqëson një sfidë të madhe, por edhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë”, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme. Shqipëria u zgjodh së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe, Brazilin, Ganën dhe Gabonin.

OKB

Emiratet e Bashkuara Arabe morën 179 vota, Shqipëria mori 175 krahasuar me 181 për Brazilin, 185 për Ganë dhe 183 për Gabon. Emiratet e Bashkuara Arabe, Shqipëria dhe Brazili ishin kandidatët e vetëm nga rajonet e tyre përkatëse. Gana dhe Gaboni fituan dy vendet e alokuara për Afrikën pasi Republika Demokratike e Kongos u tërhoq nga gara. Afati 2022-2023 do të jetë periudha e dytë për Emiratet e Bashkuara Arabe në Këshill, pasi shërbeu nga 1986-1987. Brazili ka shërbyer në Këshill 10 herë dhe Gaboni dhe Gana tre herë secili. Shqipëria nuk ka shërbyer asnjëherë në Këshill.