Takim i Kryeministrit Edi Rama me ish-presidentin e Francës Nicolas Sarcozy

Kryeministri Edi Rama është takuar të mërkurën me ish-presidentin francez, Nicolas Sarkozy në banesën e këtij të fundit në Paris, Francë. Ata kanë diskutuar sfidat e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor lidhur me zhvillimin ekonomik dhe social si dhe integrimin evropian. Ky lajm u publikua nga vetë Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, përmes një mesazhi të shkurtër në rrjetet sociale. Ai theksoi se ka mbajtur takimin jozyrtar me "mikun e tij special", me të cilin "ka privilegjin të këshillohet" për çështjet e mësipërme.

Rama

"Me një mik të veçantë në banesën e tij në Paris, Presidentin Nicolas Sarkozy, me të cilin kam privilegjin të këshillohem për sfidat e Shqipërisë dhe rajonit tonë, në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe social dhe integrimit evropian", theksoi Kryeministri Rama në “Facebook”.

Rama

Sarkozy nuk është i vetmi president francez, me të cilin kryeministri Rama ka raporte të tilla. Ai ka deklaruar më parë se presidenti aktual, Emmanuel Macron është ndër të paktët, të cilin ai e sheh si mik edhe pas politikës. Ish-presidenti francez, François Hollande e ka nderuar Ramën me titullin e lartë “Komandant i Urdhrit të Legjionit të Nderit”. Kjo është ndër dekoratat më të larta, që presidenti francez mund të japë. Përtej miqësive presidenciale, kryeministri ka kaluar edhe një pjesë të jetës në Paris.