Zyrtari i lartë amerikan Reeker viziton Tiranën më 30 qershor

Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Philip T. Reeker do të zhvillojë një turne në Evropë. Ai do të ndalet në Shqipëri dhe më pas në Maqedoninë e Veriut. Lajmi bëhet i ditur nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Reeker

Mësohet se Reeker do të fillojë vizitën nga Milano, ku do të qëndrojë për 2 ditë, konkretisht 20-22 qershor. Ndërsa në Tiranë është planifikuar të qëndrojë më 30 qershor dhe në Ohër nga 1-3 korrik. Sipas ambasadës, Reeker do të pritet në Tiranë nga Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe çështje të ndryshme.

Reeker

Më pas më 1 korrik, Ambasadori Reeker do të udhëtojë për në Ohër. Ai do të marrë pjesë në Konferencën "Rruga drejt Prespës" për të theksuar mbështetjen e SHBA-së për dialogun e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin drejt stabilitetit dhe progresit në të gjithë rajonin. Reeker do të takohet gjithashtu me Kryeministrin Zaev, Ministrin e Jashtëm Osmani dhe me zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar përparësitë e përbashkëta për Ballkanin Perëndimor.