Dy të plagosur nga aksidente rrugore

Një automjet ka humbur kontrollin në segmentin rrugor Fierzë-Tropojë këtë të hënë në mbrëmje si pasojë ka përplasur një kamion dhe ka shkaktuar plagosjen e udhëtarit me inicialet B.P., banues në Lekbibaj. Fajtor për aksidentin ishte shtetasi B.Gj., 34 vjeç banues në Fierzë, Tropojë, i cili u arrestua në flagrancë. Materialet u dorëzuan në Gjykatë dhe ai do të përballet me akuzën penale të "Shkeljes së rregullave të trafikut".

Ndërkohë, e plagosura u transportua në Spitalin e Kukësit për mjekim më të specializuar, pasi mori ndihmën e parë në spitalin e Tropojës. “Specialistët e trafikut në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasin B.GJ, 34 vjeç, banues në Fierzë, Tropojë”, njoftoi policia. “Arrestimi i tij u bë pasi, në aksin rrugor Fierzë-Tropojë duke drejtuar një automjet tip ‘Volkswagen’ ai humbi kontrollin dhe u përplas me një kamion, i drejtuar nga shtetasi G.P., banues në Lekbibaj”, theksoi policia.

Aksident

Ndërkohë një aksident tjetër u regjistrua të hënën në Elbasan, ndërsa një person u plagos në një nga rrugët kryesore të qytetit të Unazës së Jugut në lagjen "Emin Marraxhiu". Të dhënat në dispozicion sugjerojnë se një triçikël doli nga rruga si rezultat i humbjes së drejtimit për shkak të shpejtësisë. Më pas u përplas me një bordurë dhe u rrokullis disa metra.

Drejtuesi i triçiklit u transportua në spital me një furgon të forcave "Shqiponja", që po kalonte atje në kohën e aksidentit. Ndërkohë, po hetohet shkaku, që shkaktoi aksidentin duke rezultuar në plagosjen e rëndë të drejtuesit.