Zjarr pranë murit rrethues të Burgut të Peqinit

Një zjarr ka rënë ditën e martë në ambjentet rrethuese të burgut të Peqinit, në një pjesë të konsiderueshme përgjatë perimetrit, ku janë ngritur muret rrethuese të zonës së sektorit të sigurisë së lartë.  Bazuar në informacionet, flakët kanë djegur barin e thatë dhe disa shkurre përreth zonës. Burime zyrtare theksuan se flakët ishin jashtë mureve rrethuese të burgut të Peqinit dhe nuk përbënin ndonjë rrezik për ndërtesat e këtij institucioni. Pas ndërhyrjes, u bë e mundur shuarja e flakëve. Ndërsa kanë nisur hetimet për ngjarjen në fjalë.

Burgu i Peqinit ndodhet në lindje të qytetit të Peqinit. Ky institucion ka filluar aktivitetin në nëntor të vitit 2003. Ndërtimi i këtij burgu është bërë i mundur ndërmjet bashkëpunimit të Qeverisë Shqiptare me atë Italiane. Fillimisht në këtë institucion janë akomoduar të dënuar të sigurisë së zakonshme dhe në korrik të vitit 2004 filloi pranimi i të dënuarve të sigurisë së lartë.

Burg

Institucioni është projektuar dhe ndërtuar sipas koncepteve bashkëkohore dhe të gjitha godinat e përfshira në të janë mjaft funksionale dhe të standardeve evropiane. Me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, burgu i Peqinit është karakterizuar si burg i sigurisë së lartë, me një seksion të sigurisë së zakonshme dhe një seksion paraburgimi.

Etiketim

Zjarr Burg Peqin