Parlamenti shqiptar zgjedh kreun e ri të AMA-s mes kundërshtimesh

Me 83 vota pro, Parlamenti shqiptar ka zgjedhur këtë të Mërkurë, Armela Krasniqin si kryetare të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Vendimi u mor mes kundërshtimeve të forta nga opozita, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja, që kërkuan të shtyjnë vendimin për të zgjedhur kreun e ri të AMA-s në muajin shtator. Kandidatja rivale për postin e AMA-s ishte Alketa Dibra, por kjo e fundit nuk mori shumicën e nevojshme të votave për të fituar këtë post.

Krasniqi

Kryetarja e sapo zgjedhur, Armela Krasniqi, aktualisht mban postin e drejtoreshës së Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH). Gjatë prezantimit në Komisionin për Media, Krasniqi prezantoi disa nga pikat kryesore, ku do të përqendrohej në të qenit drejtuese e AMA-s. “Pesë pikat kryesore, ku unë dua të përqendrohem janë mbrojtja e të miturve, mbrojtja e të drejtës së kopjimit, një nga pikat ku vendi ynë çalon, mbrojtja e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias, azhurnimi i vazhdueshëm ose rregulloret si dhe rritja e cilësisë së programimit dhe e pesta, zgjerimi i fushës së vetë institucionit”, deklaroi Armela Krasniqi.

Armela

“Nuk mendoj se AMA duhet të vlerësojë ligjin për mediat online, se ka pasur mbështetës dhe kundërshtime. Mendoj se AMA ka aspekte të tjera teknike për të cilat do të jetë e dobishme me ekspertizën e saj, unë do të jem në bashkëpunim me Komisionin për të marrë përsipër iniciativën e përmirësimit dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Nuk besoj se AMA do të duhet të marrë iniciativa ligjore. Mendoj se duhet të ketë një entitet implementues”, theksoi ajo.