Athinë: Takim i Edi Ramës me Papadreun

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhet që prej ditës së martë në Greqi, ku zhvilloi një vizitë në Athinë. Mediat lokale raportuan se Rama mbërriti rreth orës lokale 19.30, ndërsa zhvilloi sot një takim me politikanin grek, Jorgos Papandreu. Kjo është hera e dytë në një kohë të shkurtër që Kryeministri zhvillon një vizitë në shtetin Helen.

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë mori pjesë në edicionin e 23-të të "Symi Symposium", në Athinë, të organizuar dhe drejtuar nga ish-Kryeministri Grek Jorgos Papandreu dhe me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohur të politikës, ekonomisë dhe botës akademike ndërkombëtare.
Pas komplimenteve të shumta drejtuar Kryeministrit shqiptar, Papandreu i kërkoi Ramës të fliste se si ai arriti të merrte mandatin e tretë për të qeverisur për 4 vitet e ardhshme.

Edi Rama
“Ne fituam mandatin e tretë dhe besoj se mbi të gjitha, patëm sukses, pasi gjatë gjithë kohës kemi luftuar që kurrë të mos bëhemi një parti që identifikohet me anë të pushtetit, por që të mbetet në sytë e njerëzve partia që identifikohet me ndryshimin dhe për ta arritur këtë kemi luftuar gjatë gjithë kohës për të ndryshuar partinë tonë. Jemi përpjekur të sjellim njerëz nga fusha të ndryshme të jetës dhe të kemi një sinergji në sytë e publikut dhe të identifikohemi si partia e atyre që shihen si përfaqësues të drejtpërdrejtë të popullit. Me sa duket për njerëzit është e qartë se kjo është rruga e progresit. Shumë gjëra janë më mirë se më parë, por ka shumë gjëra që duhet të jenë më mirë”, deklaroi Edi Rama.