Takimi i ardhshëm Kurti-Vuçiç më 19 korrik

Bashkimi Evropian theksoi se takimi i ardhshëm politik i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë do të zhvillohet në Bruksel, ditën e hënë, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano u shpreh se "ky takim do të përqëndrohet në diskutimet mbi progresin e bërë deri më tani dhe hapat e mëtejshëm të bisedimeve, që janë tepër të rëndësishme për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë". Bisedimet e së hënës do të shënojnë takimin e dytë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç, i cili nuk bëri asnjë progres në takimin e parë më 15 qershor.

takim

Presidenti serb kërkoi që Kosova të përmbushë marrëveshjen për krijimin e Shoqatës së komunave me shumicë serbe. Ndërsa Kryeministri Kurti deklaroi se Kosova "nuk mund të lejonte përsëritjen e skenarit të Bosnjë dhe Hercegovinës" dhe në vend të kësaj propozoi krijimin e një Këshilli Kombëtar për Serbët në Kosovë, i ngjashëm me atë të shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi. Kryeministri Kurti theksoi se ai kishte paraqitur katër propozime duke përfshirë që "Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët paqeje duke u zotuar të mos sulmojnë njëri-tjetrin".

Pala Serbe i hodhi poshtë propozimet e Kryeministrit Kurti. Presidenti serb Vuçiç deklaroi se Z. Kurti "nuk arriti të pajtohej për asgjë". “Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 Shkurt 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve kryesore evropiane dhe është zotuar të mos e njohë atë duke kërkuar një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e konsideron pavarësinë e saj të panegociueshme.