Dhjetëra të vdekur nga përmbytjet në Evropë

Të paktën 46 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve në Evropën Perëndimore, të shkaktuara nga reshjet më të dendura gjatë një shekulli, sipas ekspertëve. “Deri në 70 persona janë zhdukur në Gjermani, pasi përmbytjet e furishme përfshinë pjesët perëndimore dhe jugore të vendit duke shkaktuar shembjen e ndërtesave”, theksoi policia ditën e enjte. Gjermania është shteti më i goditur me 40 të vdekur, ndërsa gjashtë persona kanë humbur jetën në Belgjikë. Luksemburgu dhe Hollanda janë gjithashtu vende të prekura nga përmbytjet.

Permbytje

"Në disa zona nuk kemi parë kaq shumë reshje në 100 vjet", deklaroi Andreas Friedrich, një zëdhënës i shërbimit të motit në Gjermani. Ai shtoi se "në disa zona ka patur më tepër se dyfishin e sasisë së reshjeve që kanë shkaktuar përmbytje dhe fatkeqësisht disa struktura ndërtimi janë shembur". Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ndodhet për një vizitë në Uashington u shpreh se përmbytjet tragjike që kanë goditur disa pjesë të vendit janë një "katastrofë".

Merkel deklaroi se aktualisht po fokusohet në shpëtimin dhe reagimin e menjëhershëm për të prekurit nga përmbytjet, por shtoi se ajo ishte në kontakt me ministrin e Financave të vendit, Olaf Scholz për të punuar për një strategji në ndihmë financiare afatgjatë për rimëkëmbjen. Zëdhënësi i Merkel Steffen Seibert shprehu ngushëllimet familjarëve të viktimave.