Policia godet grupin kriminal në Shkodër

Si pjesë e operacionit të koduar "Lotaj", policia e Shkodrës njoftoi këtë të Enjte goditjen e një grupi kriminal me rrezik të lartë shoqëror, që merrej me prodhimin dhe shitjen e narkotikëve. Operacioni nga policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas disa muaj hetimesh çuan në pranga 24-vjeçarin F.G., ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, përkatësisht shtetasi me inicialet A.G. dhe K.B. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës theksuan se në kuadër të këtij operacioni u sekuestrua një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e dyshuar, kanabis sativa.

droge

“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, identifikimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushat e narkotikëve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafikimit në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Forcën Operacionale Speciale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër operacioni i koduar ‘Lotaj’ u finalizua me sukses. Pas një pune të mirëorganizuar, në fund të disa muajsh hetimi u bë e mundur goditja e një grupi kriminal me rrezik të lartë shoqëror. Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi F.G. 24 vjeç, banues në Grudë e Re, Shkodër dhe shtetasit A.G dhe K.B. të dyshuar për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’ dhe ‘Kultivimi i bimëve narkotike’ të kryera në bashkëpunim u shpallën në kërkim”, theksoi Policia.

“Nga tërësia e veprimeve policore dhe hetimore të kryera për një periudhë disa mujore në funksion të procedimit penal u arrit të bëhej goditja përfundimtare ndaj këtij grupi kriminal dhe të dokumentohej veprimtaria kriminale, që ky grup kishte përhapur në disa vende në Shkodër dhe në Rajon. Gjatë operacionit rezultoi se në një zonë pyjore në fshatin Lotaj, këta shtetas po kryenin aktivitete kriminale në fushën e kultivimit të kanabisit. Brenda zonës së pyllëzuar, u gjet një tendë, që këta shtetas e kishin përshtatur për të fjetur, ku u gjet një sasi e substancës së dyshuar narkotike marihuanë”, shtoi policia.

Etiketim

drogë Grup Shkodër