Një dozë e tretë e vaksinës Pfizer rrit mbrojtjen ndaj variantit Delta

Një dozë e tretë e vaksinës Pfizer/BioNTech kundër Covid-19 mund të “forcojë” mbrojtjen kundër variantit Delta, përtej mbrojtjes së ofruar nga dy dozat standarde, sipas të dhënave të reja të publikuara nga Pfizer ditën e Mërkurë. Të dhënat e postuara në internet sugjerojnë se nivelet e antitrupave, që mund të sulmojnë variantin Delta rriten pesëfish tek njerëzit e moshave 18 deri në 55 vjeç, të cilët marrin një dozë të tretë të vaksinës. Mes personave të moshave 65 deri 85 vjeç, të dhënat nga Pfizer sugjerojnë se nivelet e antitrupave, që duhet të mbrojnë kundër Deltës rriten 11 herë më tepër sesa një doze e dytë.

Pfizer

Të dhënat, që përfshinin teste të kryera nga 23 persona nuk janë rishikuar ose publikuar ende. Nuk është e qartë nëse nivelet e rritura të antitrupave lidhen me mbrojtjen më të mirë, ose nëse kjo mbrojtje shtesë është e nevojshme. Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve theksuan se vaksinat aktuale i mbrojnë njerëzit mirë nga të gjitha variantet e zakonshme.

Dr Mikael Dolsten, i cili drejton kërkimin, zhvillimin dhe mjekësinë në mbarë botën për Pfizer, i konsideroi të dhënat e reja mbi dozën e tretë të vaksinës “inkurajuese”. “Marrja e një doze të tretë më shumë se gjashtë muaj pas vaksinimit, kur mbrojtja mund të fillojë të zbehet është vlerësuar se mund të rrisë nivelet e antitrupave neutralizues tek pjesëmarrësit gjatë këtij studimi deri në 100 herë”, deklaroi Dolsten. “Këto të dhëna paraprake janë tepër inkurajuese, ndërsa Delta vazhdon të përhapet”, theksoi ai.