- 03 - 06 - 2023
Ndërsa zjarret në pyje vazhdojnë të prekin rajone të ndryshme të Mesdheut dhe Ballkanit Perëndimor, Komisioni Evropian po mobilizon me shpejtësi mbështetje për të ndihmuar vendet në kufizimin e përhapjes së zjarreve. Komisioni Evropian do të dërgojë dy helikopterë për të mbështetur operacionet në Shqipëri dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve. Helikopterët do të dërgohen nga Republika Çeke dhe Hollanda.
Përveç kësaj, Sllovenia po dërgon një ekip prej 45 zjarrfikësish në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu dy avionë zjarrfikës "Canadair" nga Franca po dërgohen në zonat e prekura në Itali për të filluar operacionet e shuarjes së zjarrit. Dy avionë zjarrfikës qipriotë po mbështesin Greqinë.
E gjithë ndihma mobilizohet përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, me bashkëfinancim nga Komisioni të paktën 75 % të kostove të transportit. Këto dislokime vijnë si shtesë e operacioneve të shuarjes së zjarrit të koordinuara nga BE-ja, që aktualisht janë duke vazhduar në Turqi si dhe në Sardenjë, Itali. Hartat satelitore nga sateliti i BE-së për Menaxhimin e Emergjencave Copernicus po ofrojnë mbështetje të mëtejshme për të koordinuar operacionet.