- 03 - 06 - 2023
Është zbuluar i ngrirë një këlysh luani i kohërave të shpellës në thellësi të Arktikut Siberian. Gëzofi i artë i këlyshit u gjet i lyer me baltë, por i padëmtuar. Dhëmbët, lëkura, indet e buta dhe organet ishin të mumifikuara, por të gjitha të paprekura. Kthetrat janë akoma mjaft të mprehta. Kafsha ishte një nga dy këlyshët e luanëve të shpellave.
Fillimisht, mendohej se të dy këlyshët ishin vëllezër e motra, pasi u gjetën vetëm 15 metra larg nga njëri-tjetri, por një studim i ri zbuloi se ata ndryshojnë në moshë me rreth 15,000 vjet. “Është ndoshta kafsha më mirë e ruajtur e Epokës së Akullit, që është gjetur ndonjëherë dhe është pak a shumë e padëmtuar”, deklaroi Love Dalen, profesor i gjenetikës evolucionare në Qendrën për Paleogjenetikë në Stokholm, Suedi.
Të dy këlyshët ishin vetëm 1 ose 2 muajsh, kur ngordhën, sipas studimit. Nuk është e qartë se si ata ngordhën, por Dalen dhe ekipi kërkimor, që përfshin shkencëtarë rusë dhe japonezë theksuan se nuk kishte shenja të ishin goditur nga ndonjë grabitqar. Skanimet e tomografisë së kompjuterizuar treguan dëmtime të kafkës, zhvendosje të brinjëve dhe shtrembërime të tjera në skeletet e tyre. “Duke pasur parasysh ruajtjen e tyre, ata duhet të jenë varrosur shumë shpejt. Ndoshta kanë ngordhur si pasojë e rrëshqitjeve të dheut, ose kanë ranë në ndonjë çarje në ngricën e përhershme”, shtoi Dalen.