Afganistan: Gratë tashmë janë zhdukur nga rrugët në Kabul

Rrugët e Kabulit duken sikur asgjë nuk ka ndryshuar. Njerëzit nxitojnë aty pranë, ndërsa shitësit e dyqaneve rregullojnë produktet e tyre shumëngjyrëshe dhe policia drejton trafikun. Sidoqoftë, ka një ndryshim të madh, pothuajse nuk ka asnjë grua. Që kur talebanët pushtuan kryeqytetin afgan ditën e dielë, gratë kanë qëndruar kryesisht brenda banesave.

Talebanët kanë theksuar vazhdimisht se të drejtat e grave do të mbrohen, por është e qartë se shumë gra afgane janë të tmerruara nga perspektiva e jetës nën sundimin e tyre. Shumë më pak gra po dalin në rrugë tani, krahasuar me vetëm disa ditë më parë. Ato, të cilat janë më të guximshme për botën e jashtme kanë tendencë të vishen më konservatorisht se më parë duke mbuluar fytyrat me nikab, ose ferexhe.

Gra

Shumë nga gratë e arsimuara, të patrembura, të cilat kaluan dekadën e fundit duke ndërtuar karrierën e tyre, po kërkojnë me ngulm një rrugëdalje, të shqetësuara se mund të jenë nën shënjestër nga talebanët. “Jam duke menduar për të ardhmen time, vajzat e mia, çfarë do të ndodhë me to nëse më vrasin”, u shpreh një grua, e cila nuk dha emër për arsye sigurie, pasi kishte punuar për disa OJQ ndërkombëtare. “Nuk është e lehtë të kesh më tepër se 10 vjet përvojë pune me organizata ndërkombëtare dhe asnjëra prej tyre nuk më ndihmoi”, deklaroi ajo.

Për një dyqan veshjesh në qendër të Kabulit, marrja nën kontroll e talebanëve ishte një nxitje për biznesin. Pronari u shpreh se ai kishte shitur shumë burka ditët e fundit. Burka është një veshje, që mbulon trupin nga koka deri tek këmbët, me një rrjetë mbi sy. Ishte veshje e detyrueshme për gratë, kur talebanët sunduan për herë të fundit në Afganistan në vitet 1990.

Burka