Grenlandë: Reshje shirash për herë të parë në kohë rekord

Për herë të parë janë regjistruar reshje ditën e shtunë, në Grenlandë, në formë shirash dhe jo dëbore. Temperaturat në Grenlandë gjatë fundjavës shënuan rritje mbi nivelin e ngrirjes për herë të tretë në më pak se një dekadë. Ajri i ngrohtë nxiti një dukuri ekstreme të shirave dhe rreth 7 miliardë tonë ujë ranë mbi sipërfaqen e akullt.

Grenlanda

“Ishin reshjet më të dendura të shirave në shtresën e akullt, që kur ka filluar regjistrimi në vitin 1950”, sipas Qendrës Kombëtare të të Dhënave të Dëborës dhe Akullit dhe sasia e masës së akullit të shkrirë ditën e Dielë ishte shtatë herë më e lartë se mesatarja ditore për këtë kohë të vitit. Ted Scambos, një shkencëtar i lartë kërkimor në Qendrën Kombëtare të të Dhënave të Dëborës dhe Akullit në Universitetin e Kolorados, u shpreh se kjo është dëshmi se Grenlanda po ngrohet me shpejtësi. Ndërsa ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njerëzit po ngroh planetin, shkrirja e akujve është rritur me shpejtësi.

Një raport i OKB-së për klimën i publikuar këtë muaj arriti në përfundimin se djegia e karburanteve fosile ka çuar në shkrirjen e Grenlandës gjatë dy dekadave të fundit. Një studim i fundit i publikuar në revistën “Cryosphere” zbuloi se Toka ka humbur 28 trilionë ton akull, që nga mesi i viteve 1990, një pjesë e madhe ishte nga Arktiku duke përfshirë sipërfaqen e akullit të Grenlandës. Në muajin korrik, shtresa e akullit të Grenlandës përjetoi një nga dukuritë më të rëndësishme të shkrirjes në dekadën e fundit duke humbur më tepër se 8,5 miliardë tonë masë sipërfaqësore në një ditë të vetme.