Afganistan: Protestë e grave në Kabul kundër talebanëve

Një grup aktivistesh afgane organizuan një protestëKabul të kontrolluar nga talebanët ditën e Premte duke bërë thirrje për të drejta të barabarta dhe pjesëmarrje të plotë në jetën politike. Pavarësisht rrezikut, grupi i quajtur Rrjeti i Pjesëmarrjes Politike të Grave marshoi në rrugë para Ministrisë së Financave të Afganistanit duke mbajtur parulla dhe shenja, që kërkonin përfshirje në qeverinë afgane dhe duke bërë thirrje për ligj kushtetues. Pamjet treguan një konfrontim të shkurtër mes rojeve talebane dhe disa prej grave.

Protesta

Mbledhja ishte relativisht e vogël. Videoja e skenës e transmetuar drejtpërdrejt nga grupi tregoi vetëm disa demonstruese, por përfaqësonte një sfidë të pazakontë publike ndaj sundimit taleban. Grupi militant është i përfshirë në diskutimet e brendshme rreth formimit të një qeverie, por tashmë kanë sinjalizuar se gratë, të cilat punojnë duhet të qëndrojnë në banesa dhe militantët në disa raste kanë urdhëruar gratë të largohen nga vendet e tyre të punës.

Liderët talebanë theksojnë publikisht se gratë do të luajnë një rol të spikatur në shoqëri dhe do të kenë qasje në arsim. Por deklaratat publike të grupit për respektimin e interpretimit të tyre të vlerave islame kanë ngjallur frikën se do të ketë një rikthim në politikat e ashpra të sundimit të talebanëve dy dekada më parë, kur gratë u zhdukën nga jeta publike. Disa gra afgane tashmë po qëndrojnë në shtëpi nga frika për sigurinë e tyre, dhe disa familje po blejnë burka për të afërmit femra.