Humb jetën ministri rus Yevgeny Zinichev gjatë një ushtrimi stërvitor në Arktik

Ministri rus i Emergjencave Yevgeny Zinichev ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti gjatë një ushtrimi stërvitor në Arktik, njoftoi ditën e mërkurë agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti. Zinichev, 55 vjeç po përpiqej të shpëtonte jetën e një personi tjetër, në momentin kur ndodhi ngjarja në qytetin rus Norilsk. “Ministria e Emergjencave Ruse njofton me keqardhje se Yevgeny Zinichev ka humbur jetën tragjikisht gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, ndërsa ndiqte stërvitjet për të mbrojtur zonën e Arktikut nga emergjencat duke shpëtuar jetën e një personi”, theksoi ministria.

Zinichev

Asnjë detaj tjetër i menjëhershëm lidhur me rrethanat rreth vdekjes së Zinichev nuk u bënë të ditur menjëherë nga ministria. “Zinichev ndodhej në Arktik për të mbikëqyrur stërvitjet në shkallë të gjerë”, sipas një deklarate zyrtare të ministrisë të publikuar para aksidentit. Si pjesë e vizitës, Zinichev u bashkua me zyrtarët lokalë për të inspektuar përparimin e ndërtimit të një stacioni të ri zjarrfikës në Norilsk, që pritet të hapet në fund të vitit.

Ministri gjithashtu mbikëqyri personalisht zbatimin e detyrave të trajnimit për reagimin emergjent nga njësitë. Presidenti rus Vladimir Putin shprehu “ngushëllimet e tij të thella” për familjen dhe miqtë e Zinichev, njoftoi Kremlini në një deklaratë ditën e Mërkurë. Në deklaratë theksohej se Putini dhe Zinichev, të cilët, sipas mediave shtetërore kishin një karrierë të gjatë me agjencitë e sigurisë shtetërore të Rusisë kishin “shumë vite punë të përbashkët”.