Zbulohet një asteroid në formën e “kockës së qenit”

Imazhe të reja po qëndrojnë në qendër të vëmendjes. Astronomët kanë kapur vëzhgimet më të detajuara të asteroidit 216 Kleopatra, një asteroid me dy hëna, që duket se ka një ngjashmëri me një kockë qeni. Vëzhgimet e reja u bënë duke përdorur Teleskopin më të Madh të Observatorit Evropian Jugor në Kili dhe qartësia e mprehtë e imazheve i ka ndihmuar shkencëtarët të mësojnë më tepër rreth masës dhe formës 3D të asteroidit. Ky informacion mund të hedhë më tepër dritë mbi mënyrën se si u formuan asteroidi dhe dy hënat e tij.

Në afërsi të Tokës, Kleopatra është rreth 124 milionë milje larg. Dy studime duke përfshirë vëzhgimet u publikuan ditën e enjte në revistën Astronomy & Astrophysics. I pari u përqëndrua në formën e asteroidit, ndërsa i dyti në masën e asteroidit dhe hënat e tij. "Kleopatra është me të vërtetë një trup unik në sistemin tonë diellor", deklaroi Franck Marchis, autori kryesor i studimit. "Shkenca po përparon shumë falë studimit të largësive. Mendoj se Kleopatra është një nga ata trupa qiellorë që do të mund të na ndihmojë të mësojmë më tepër rreth Sistemit tonë Diellor", theksoi ai.

Marchis është një astronom i lartë planetar në Institutin SETI në Mountain View, Kaliforni dhe gjithashtu është i lidhur me Laboratoire d'Astrophysique de Marseille, Francë. Asteroidi me formë të pazakontë ndodhet në brezin kryesor të asteroidëve mes Marsit dhe Jupiterit dhe orbiton Diellin. Vëzhgimet e radarit të bëra Kleopatras 20 vjet më parë zbuluan formën e saj: dy lobe, që lidhen me një qafë të trashë. Marchis dhe ekipi i tij zbuluan dy hëna të vogla, që orbitonin asteroidin në vitin 2008 dhe ata u quajtën AlexHelios dhe CleoSelene, sipas fëmijëve të Kleopatrës.