Covid-19: Vaksina Moderna rezulton më tepër efektive

Një studim i të tre vaksinave të autorizuara kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka zbuluar se vaksina Moderna është pak më tepër efektive se Pfizer në përdorimin e përditshëm duke mbajtur njerëzit larg spitaleve dhe vaksina Johnson & Johnson nga Janssen renditet e treta, por prapë siguron 71% mbrojtje. Vaksina Pfizer siguron 88% mbrojtje nga shtrimi në spital dhe Moderna ishte 93% efektive. Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve organizuan një studim mbarëkombëtar të vaksinimit, që përfshinte më tepër se 3,600 të rritur të shtruar në spital me Covid-19 gjatë muajve mars dhe gusht.

Covid

“Ndër të rriturit amerikanë, pa kushte të kompromisit imunitar, efektiviteti i vaksinës ndaj shtrimit në spital me COVID-19, gjatë periudhës 11 mars - 15 gusht 2021 ishte më i lartë me vaksinën Moderna (93%) sesa me vaksinën Pfizer-BioNTech (88%) dhe vaksina e Janssen (71%)”, shkroi grupi i Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në raportin javor. “Megjithëse këto të dhëna sugjerojnë disa ndryshime në nivelet e mbrojtjes nga vaksina, të gjitha vaksinat e aprovuara ose të autorizuara kundër COVID-19 ofrojnë mbrojtje thelbësore ndaj shtrimit në spital nga COVID-19”, sipas deklaratës. Ata zbuluan se ndryshimi më i madh mes vaksinave Moderna dhe Pfizer/BioNtech u nxit nga një rënie, që filloi rreth katër muaj pasi njerëzit u vaksinuan plotësisht me vaksinën Pfizer.

“Dallimet në efektivitetin e vaksinës mes Moderna dhe Pfizer-BioNTech mund të jenë për shkak të përmbajtjes më të lartë të mRNA në vaksinën Moderna, ndryshimeve kohore mes dozave (3 javë për Pfizer-BioNTech kundrejt 4 javë për Moderna), ose ndryshimeve të mundshme mes grupeve, që morën secilën vaksinë, që nuk u llogarit në analizë”, theksoi ekipi. “Efektiviteti i vaksinës Pfizer-BioNTech ishte 91% në 14 -120 ditë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës, por ra në mënyrë të konsiderueshme në 77% në më tepër se 120 ditë”, shtoi ekipi. Vaksinat Pfizer dhe Moderna të dy përdorin material gjenetik të quajtur ARN i dërguar për të dhënë imunitet, por ato përdorin doza të ndryshme dhe formulime të ndryshme. Vaksina Janssen përdor një virus të ftohjes së zakonshme të çaktivizuar të quajtur adenovirus një vektor viral për të kryer udhëzime gjenetike në trup.