Ndahet nga jeta bashkëshorti i Tom Ford

Redaktori i modës Richard Buckley, bashkëshorti i stilistit Tom Ford është ndarë nga jeta në moshën 72-vjeçare, sipas një deklarate të lëshuar nga përfaqësuesit e markës së modës me emrin Ford. “Me trishtim të madh Tom Ford njofton ndarjen nga jeta të bashkëshortit të tij të dashur prej 35 vitesh, Richard Buckley”, theksuan përfaqësuesit e Ford. “Richard u nda nga jeta në paqe në banesën e tyre, në Los Angeles me Tomin dhe djalin e tyre Jackun pranë tij. Ai humbi jetën si pasojë e shkaqeve natyrore pas një sëmundjeje të zgjatur”, sipas deklaratës.

Tom Ford

Buckley ishte titan i botës së mediave të modës dhe shërbeu si kryeredaktor i Vogue Hommes International për gjashtë vjet para se të jepte dorëheqjen në vitin 2005. Me një karrierë, që zgjati mbi 25 vjet, ai mbajti pozicione të shumta të lakmuara në industri duke përfshirë redaktuesin e modës për Women’s Wear Daily, redaktor social për Vanity Fair dhe redaktor evropian për revistën Mirabella. Ai gjithashtu kontribuoi në tituj të tillë si Vogue Italian dhe New York Magazine.

Sipas Women Wear Daily, Buckley kishte një sy të mprehtë për të dalluar trendet e veshjeve për meshkuj disa sezone para se të dilnin në pasarela. Në vitin 2016, Ford u shpreh për Jess Cagle se ishte “dashuri me shikim të pare”, kur ai u përplas për herë të parë me Buckley në një ashensor për një shfaqje mode në vitin 1986. Në atë kohë, Buckley ishte një redaktor mode për Women Wear Daily, sipas botimit. Ford ende nuk ishte bërë emër i famshëm dhe punonte nën stilistin e veshjeve sportive Cathy Hardwick.