Covid-19: SHBA do të lehtësojë kufizimet e udhëtimeve për udhëtarët e huaj të vaksinuar plotësisht

Shtetet e Bashkuara të Amerikës planifikojnë të lehtësojnë kufizimet e udhëtimeve për të gjithë udhëtarët e huaj plotësisht të vaksinuar duke filluar nga muaji Nëntor, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë diën e hënë duke lehtësuar një pjesë të ndalimeve dhe duke i zëvendësuar ato me kërkesa më uniforme për vizitorët ndërkombëtarë. “Rregullat e reja do të kërkojnë që të gjithë shtetasit e huaj, të cilët mbërrijnë në SHBA të tregojnë dëshminë e vaksinimit të plotë”, deklaroi koordinatori i Shtëpisë së Bardhë përgjegjës për Covid-19, Jeff Zients. Ai u shpreh se rregullat e reja do të hyjnë në fuqi në fillim të muajit Nëntor, një afat kohor, që do t'u japë agjencive dhe linjave ajrore “kohë për t'u përgatitur”.

Heqja e kufizimeve të përgjithshme për udhëtimet drejt SHBA-së nga vende të caktuara do të vijë si një lajm i mirëpritur për mijëra shtetas të huaj me familje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë qëndruar të ndarë për pothuajse gjatë gjithë pandemisë. Financial Times ishte e para, që raportoi lajmin. Përveç kërkimit të vaksinimit, administrata njoftoi se po merrte hapa të tjerë për të zbutur përhapjen e virusit: duke kryer testime, gjurmime të kontakteve dhe duke kërkuar përdorimin e maskave.

Shtetasve të huaj të vaksinuar plotësisht dhe qytetarëve amerikanë, të cilët kthehen në SHBA nga jashtë do t'u kërkohet të bëjnë një test Covid-19 para nisjes brenda tre ditëve nga fluturimi i tyre dhe të tregojnë dëshmi të një rezultati negativ para hipjes në avion. Ata gjithashtu do të duhet të bëjnë një test viral, të tillë si një PCR ose test i shpejtë, tre deri në pesë ditë pas mbërritjes. Testi duhet të jetë i autorizuar për përdorim në vendin ku është administruar.

“Amerikanët e pavaksinuar, të cilët kthehen në SHBA do t'i nënshtrohen kërkesave më të rrepta të testimit”, theksoi Zients duke përfshirë një test brenda një dite nga nisja dhe një test shtesë kur të kthehen. Pasagjerët e vaksinuar plotësisht nuk do t'i nënshtrohen asnjë mandati karantine pas mbërritjes në SHBA.