Takim i Ministres Olta Xhaçka me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së

Pas “Javës së Diskutimeve të Nivelit të Lartë” të sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe delegacioni shqiptar, i përbërë nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Ministrja Xhaçka theksoi se Shqipëria beson fuqimisht në rolin e diplomacisë shumëpalëshe, ndërsa shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Guterres për të çuar përpara përparësitë e përbashkëta gjatë mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

“Shqipëria ndan të njëjtën pikëpamje me Sekretarin e Përgjithshëm, që parandalimi duhet të jetë motivi i diplomacisë shumëpalëshe në çdo fushë. Si mbështetës të fortë të një arene ndërkombëtare të bazuar në rregulla besojmë fuqimisht në rolin e diplomacisë shumëpalëshe”, deklaroi ndër të tjera Ministrja Xhaçka.

Ministrja Xhaçka deklaroi ditën e martë, gjatë takimeve të Nivelit të Lartë, në Nju Jork se “Shqipëria mirëpret bashkëpunim me të gjitha vendet partnere për të çuar më tej kauzën e paqes në botë”. Ajo u shpreh krenare për përkushtimin e Shqipërisë ndaj multilaterizmit dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve.

Shqipëria u votua për të qenë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB për një mandat 2-vjeçar. Mandati fillon më 1 janar 2022. Ky lajm u vlerësua si një mundësi historike dhe arritje e diplomacisë shqiptare.